Alarm nga Bekim Berisha: A po fshihen të dhënat reale për lindjet e shqiptarëve në RMV?
Bekim Berisha ka ngritur shqetësime publike lidhur me vonesën e publikimit të të dhënave për lindjet sipas përkatësisë etnike nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, ESHS zakonisht i publikon këto statistika deri më 10 korrik, por edhe më 16 korrik ato ende nuk janë bërë publike. Berisha rikujton se në të dhënat e publikuara për vitin 2024 janë regjistruar 1.815 lindje me përkatësi etnike “të panjohur”, ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2023, gjithsej kanë qenë vetëm 343 raste.
Ai thekson se mesatarja vjetore për periudhën 2010–2023 është rreth 24,5 raste, ndërsa viti 2024 shënon një rritje prej 7.408%, të cilën e cilëson si të pazakontë dhe që, sipas tij, kërkon shpjegim institucional.
Berisha ngre pyetjen nëse kjo rritje është thjesht rastësi apo nëse po fshihen të dhënat reale për lindjet sipas përkatësisë etnike, veçanërisht të shqiptarëve. Ai kërkon nga Enti Shtetëror i Statistikave dhe Drejtoria e Librave Amzë të japin një përgjigje publike dhe të argumentuar për këtë çështje.
Në reagimin e tij, Berisha thekson se transparenca në publikimin e statistikave zyrtare është thelbësore, duke shtuar se, sipas tij, “heshtja nuk është shpjegim”.
