“Ky është dallimi mes diplomacisë dhe nënshtrimit” – Osmani me reagim të ashpër ndaj VLEN-it

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj kritikave të VLEN-it për takimet e tij diplomatike, duke theksuar se po tentohet të paraqiten takimet zyrtare si përcaktime politike, ndërsa, sipas tij, po anashkalohet bashkëqeverisja me forca që mohojnë pavarësinë e Kosovës, relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë dhe cenojnë Marrëveshjen e Ohrit.

Osmani thekson se diplomacia nënkupton komunikim edhe me ata me të cilët nuk pajtohesh, duke shtuar se takimet diplomatike janë detyrim kushtetues i një ministri të Jashtëm dhe praktikë normale në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas tij, bashkëqeverisja është zgjedhje politike dhe nuk mund të barazohet me takimet zyrtare diplomatike. Ai shton se do të vazhdonte të takohej me çdo homolog për të mbrojtur interesat e shtetit, por kurrë nuk do të zgjidhte të bashkëqeveriste me ata që, sipas tij, mohojnë pavarësinë e Kosovës, relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë apo cenojnë të drejtat e shqiptarëve.

“Ky është dallimi mes diplomacisë dhe nënshtrimit politik. Dhe pikërisht këtë dallim VLEN po përpiqet ta fshehë”, përfundon reagimi i Osmanit.

Back To Top