Pas Fetait, Azirit, i erdhi radha kuadrove të Alternativës – Mexhiti dhe Kasami po marrin “dizginat” e VLEN-it
Largimet dhe ndryshimet brenda koalicionit VLEN po vazhdojnë. Pas përplasjeve dhe largimeve që prekën figura të lidhura me Alternativën, tash një tjetër kuadër i rëndësishëm i kësaj partie po largohet nga skena politike.
Bashkim Murtezi, përgjegjës i Komisionit Kadrovik dhe anëtar i Kuvendit Qendror të VLEN-it, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen e tij nga të gjitha funksionet partiake dhe nga angazhimi aktiv politik.
Në letrën e tij të gjatë të reflektimit, Murtezi ka përmendur rrugëtimin pesëvjeçar politik, fillimisht si sekretar organizativ i Alternativës, më pas si pjesë e proceseve të krijimit të VLEN-it dhe në fund si një nga figurat kyçe të strukturave kadrovike të koalicionit.
Ai ka theksuar se vendimi i tij është “përmbyllje e një misioni”, duke lënë pas funksionet dhe duke hapur rrugë për gjenerata të reja.
Por largimi i Murtezit vjen në një moment kur brenda VLEN-it po vërehet një riorganizim i fuqive. Pas largimit të figurave të lidhura me Alternativën dhe dobësimit të ndikimit të disa kuadrove të saj, gjithnjë e më shumë po shtrohet pyetja nëse drejtimin real të koalicionit po e marrin dy figurat kryesore: Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.
Nga një koalicion i ndërtuar si bashkim i disa subjekteve politike, VLEN tash po përballet me kritika se pesha e vendimmarrjes po përqendrohet te udhëheqësit kryesorë, ndërsa kuadrot e partive më të vogla po humbin ndikimin.
Murtezi në deklaratën e tij ka vlerësuar punën e bërë në Komisionin Kadrovik, duke thënë se gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 2400 punësime dhe qindra avancime, por largimi i tij lë pas pikëpyetje për vazhdimin e këtij modeli dhe për balancën e brendshme në koalicion.
