Nikoloski demanton zëvendësen e tij Zekollin: Me reagimin ndaj Osmanit konfirmoi se Qeveria humbi 60 milionë euro grant IPA
Përpjekja e Ministrisë së Transportit për t’iu përgjigjur Bujar Osmanit për humbjen e mjeteve evropiane për Korridorin VIII përfundoi me dy versione krejtësisht të kundërta nga vetë drejtuesit e ministrisë.
Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri pretendoi se Osmani po manipulon dhe se për fazën e tretë të hekurudhës janë siguruar 149 milionë euro grant. Mirëpo, ministri i saj Aleksandar Nikoloski, në reagimin e publikuar ndaj Osmanit, praktikisht konfirmoi pikërisht atë që Qeveria po përpiqej ta mohonte: fondi fillestar i parashikuar ishte rreth 209 milionë euro, ndërsa tani në dispozicion kanë mbetur 149 milionë euro.
Diferenca është e qartë: 60 milionë euro më pak.
Kështu, Nikoloski jo vetëm që e demantoi zëvendësen e tij, por me shifrat që i publikoi vetë konfirmoi se Qeveria ka humbur 60 milionë euro grant evropian për projektin. Në vend që ta kundërshtonte Osmanin, ministri ia vërtetoi pretendimin.
Reagimet e pakoordinuara zbulojnë edhe kaosin brenda Ministrisë së Transportit: zëvendësministrja thotë se asnjë mjet nuk është humbur, ndërsa ministri pranon se në projekt kanë mbetur 149 milionë nga 209 milionët e planifikuar.
Pyetja që mbetet pa përgjigje është e thjeshtë:
Ku përfunduan 60 milionë eurot dhe kush do të mbajë përgjegjësi për humbjen e tyre?
Në vend të akuzave politike, Qeveria duhet t’u tregojë qytetarëve dokumentet: sa ishte granti fillestar, sa mjete janë aktualisht të garantuara dhe përse financimi është zvogëluar për 60 milionë euro.
Sepse këtë herë demanti ndaj Bujar Osmanit erdhi nga vetë ministri Aleksandar Nikoloski — por ishte demant për zëvendësen e tij.
