Bekim Rexhepi: Qeveria humbi mbi 60 milionë euro fonde evropiane për Korridorin 8

Ish-zëvendësministri i Transportit, Bekim Rexhepi, ka akuzuar Qeverinë se me neglizhencën dhe mungesën e veprimit në kohë ka bërë që Maqedonia e Veriut të humbë mbi 60 milionë euro fonde IPA të Bashkimit Evropian, të destinuara për projektin strategjik të Korridorit 8.

Sipas Rexhepit, humbja e këtyre mjeteve nuk është thjesht një dështim administrativ, por një goditje e rëndë për zhvillimin ekonomik të vendit, lidhjen rajonale dhe kredibilitetin e institucioneve përballë Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se Korridori 8 është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit dhe se fondet e pakthyeshme evropiane u humbën si pasojë e vonesave, neglizhencës dhe mungesës së prioritizimit nga institucionet përgjegjëse.

Rexhepi rikujtoi se kishte paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun që neglizhimi i Korridorit 8 mund të sillte humbjen e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, këto paralajmërime nuk u morën seriozisht, ndërsa sot pasojat i ndjejnë qytetarët, të cilëve u janë humbur mbi 60 milionë euro fonde të pakthyeshme që do të ndihmonin zhvillimin e infrastrukturës dhe integrimin evropian të vendit.

Në fund, ish-zëvendësministri i Transportit kërkoi përgjegjësi politike dhe institucionale për humbjen e fondeve, duke theksuar se dështime të tilla nuk duhet të kalojnë pa llogaridhënie.

Back To Top