Nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa, pajtohet me Nafie Selmanin se VLEN duhet shkërmoqur
Nënkryetarja e VLEN‑it dhe deputetja e koalicionit, Mimoza Musa, ka shfaqur hapur pakënaqësitë e saj të brendshme, duke pëlqyer publikisht një status kritik të aktivistes Nafie Selmani, e njohur për qëndrimet e saj të ashpra ndaj pushtetit dhe strukturave të VLEN‑it.
Në epokën digjitale, komunikimi politik shpesh reflektohet përmes rrjeteve sociale, ku një pëlqim interpretohet si shenjë pajtimi ose mbështetje. Pikërisht këtë ka bërë Musa, duke pëlqyer statusin e Selmanit, në të cilin ajo paralajmëron vazhdimin e bashkëpunimit me qytetarët “deri në shkërmoqjen e plotë të VLEN‑it”.
Ky veprim i Musës shihet si sinjal i qartë i distancimit të saj nga koalicioni ku mban post të lartë, duke ngritur pyetje mbi arsyet që e kanë shtyrë të rreshtohet hapur pas kritikëve të VLEN‑it. Edhe pse motivet e sakta mbeten të paqarta, është e ditur se brenda koalicionit prej kohësh qarkullojnë pakënaqësi të shumta.
Në statusin e saj, Nafie Selmani shkruan:
“Derisa të më rikthehet fotoja e profilit, të cilën ma kanë bërë report hejterat qyqarë të VV‑LEN‑it, po e vendos këtë taze foto si dëshmi se jam unë vetë. Profili im është i sigurt, prandaj të dashur të njohur dhe miq, vazhdojmë bashkëpunimin dhe bashkëkomunikimin tonë deri në shkërmoqjen e tyre të plotë. Mund të vazhdoni të më shkruani lirshëm në inbox, me mbrojtje të lartë të identitetit tuaj, ashtu si deri më sot.”
Ky status, i pëlqyer nga Musa, ka shtuar debatet mbi përçarjet e brendshme në VLEN.
Ndryshe, Nafie Selmani, njihet për konzistencën e saj drejt kritikës objektive ndaj pushtetit dhe demaskimit të çfarëdolloj pretendimi për manipulim.
Kujtojmë që, deputetja Mimoza Musa, nuk është e para që ka pakënaqësi nga VLEN. Para Muses janë larguar Arben Taravari bashkë me gjithë strukturën e tij, Arben Fetai, Fatmir Limani, Azir Aliu, Bashkim Murtezi, edhe një numër i madh funksionarësh e aktivistësh që veçmë janë distancuar publikisht. E fundit deri në publikimin e këtij teksti është deputetja Mimoza Musa.
