BDI-Çair kërkon dorëheqjen e Teuta dhe Mustafa Imerit, i akuzon për promovim të “Botës Serbe”

Shkup, 3 gusht – Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Çair ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të drejtoreshës së Shkollës Fillore “Ismail Qemali”, Teuta Imeri, dhe drejtorit të Filharmonisë, Mustafa Imeri, duke i akuzuar se me paraqitjen e tyre në një koncert të Zdravko Çoliq nën flamurin serb kanë promovuar atë që e quajnë “Botë Serbe”.

Në reagimin e saj, BDI Çair thekson se Teuta dhe Mustafa Imeri janë bashkëshortë dhe se të dy mbajnë poste drejtuese në institucione publike, njëra në sektorin e arsimit dhe tjetri në kulturë. Sipas tyre, ky rast dëshmon, siç thuhet në reagim, “modelin e qeverisjes së VLEN-it”, ku funksionet publike ndahen brenda familjes. “Një familje, dy poste drejtorësh – ky është standardi i atyre që dje flisnin kundër punësimeve familjare dhe premtonin meritokraci”, thuhet në reagimin e BDI-së, e cila akuzon VLEN-in se institucionet publike po trajtohen si shpërblim partiak. Më tej, BDI pretendon se dy drejtuesit e institucioneve publike janë shfaqur së bashku në një koncert të këngëtarit Zdravko Çoliq, nën flamurin serb, duke u bërë, sipas tyre, “fytyra publike të promovimit kulturor dhe politik të së ashtuquajturës ‘Botë Serbe’”.

Nga BDI theksojnë se nuk kontestojnë të drejtën e qytetarëve për të ndjekur koncertet apo për të dëgjuar muzikën që preferojnë, por vlerësojnë se situata është e ndryshme kur bëhet fjalë për persona që ushtrojnë funksione publike. “Askush nuk ua konteston qytetarëve të drejtën për të dëgjuar muzikën që dëshirojnë. Por këta nuk janë qytetarë anonimë. Janë dy drejtorë publikë, të emëruar nga Izet Mexhiti, të cilët përfaqësojnë institucione arsimore dhe kulturore të financuara nga qytetarët”, thuhet në reagim.

Partia opozitare veçon edhe faktin se Teuta Imeri drejton shkollën fillore “Ismail Qemali”, duke e cilësuar si veçanërisht problematike paraqitjen e saj “nën simbolet e një projekti që synon zgjerimin e ndikimit serb në rajon”. BDI Çair kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Teuta dhe Mustafa Imerit, ndërsa i drejton edhe disa pyetje publike koalicionit VLEN. “Si përfunduan burri dhe gruaja njëkohësisht drejtorë të dy institucioneve publike? A është kjo meritokracia që premtuan, apo kapje familjare e shtetit?

Dhe a e mbështet VLEN-i paraqitjen e kuadrove të veta si promovues të ‘Botës Serbe’?”, pyet BDI. Në fund të reagimit, BDI vlerëson se heshtja e VLEN-it ndaj këtij rasti do të ishte, sipas saj, dëshmi e një modeli të organizuar të ndarjes së posteve publike brenda familjeve, të nënshtrimit politik ndaj VMRO-DPMNE-së dhe të normalizimit të ndikimit të ashtuquajturës “Botë Serbe”.

Back To Top