Çfarë deshi të thotë Mickoski në Pelincë: Kush e ka marrë “atdheun” dhe kujt do t’ia kthejë?
Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë fjalimit me rastin e 2 Gushtit në Qendrën Memoriale të ASNOM-it në Pelincë, deklaroi se “atdheu sot nuk është vendi dhe shteti për të cilin ëndërruan ilindenasit dhe pjesëmarrësit e ASNOM-it”, duke shtuar se beteja e brezit të tij është “ta kthejë përsëri një atdhe të tillë”.
Por deklarata hap disa pyetje politike që kryeministri nuk i sqaroi.
Çfarë konkretisht ka ndryshuar në karakterin e shtetit? Kush e ka marrë atë “atdhe” dhe kujt synon Mickoski t’ia kthejë?
Formulimi se atdheu duhet “të kthehet” mund të nënkuptojë se, sipas kryeministrit, shteti i sotëm është larguar nga modeli që ai e konsideron autentik. Por Maqedonia e Veriut e sotme është ndërtuar mbi trashëgiminë e Ilindenit dhe ASNOM-it, mbi pavarësinë dhe mbi Marrëveshjen e Ohrit, e cila e përcaktoi vendin si një shtet të përbashkët, shumëetnik dhe të barabartë.
Prandaj, kur kryeministri flet për “kthimin e atdheut”, është e drejtë të kërkohet një përgjigje e qartë: a po flet për kthimin e qytetarëve që janë larguar, për rikthimin e besimit te institucionet dhe të perspektivës evropiane, apo po paralajmëron rikthim drejt një koncepti të vjetër monoetnik të shtetit?
Kjo paqartësi bëhet edhe më problematike pasi Mickoski nuk është vëzhgues i zhvillimeve. Ai është kryeministër dhe ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për gjendjen e vendit. Nëse Maqedonia e sotme nuk është shteti që duhet të jetë, qytetarët kanë të drejtë të pyesin çfarë ka bërë qeveria e tij për ta përmirësuar dhe përse, pas dy vitesh pushtet, vazhdon të flasë sikur përgjegjësia u takon gjithmonë të tjerëve.
Ilindeni dhe ASNOM-i nuk mund të përdoren si dekor për mesazhe të paqarta identitare. Ato kërkojnë një shtet në të cilin askush nuk është mbi tjetrin, ku të gjitha komunitetet e ndërtojnë bashkë shtëpinë e përbashkët dhe ku kryeministri nuk lë dilema se kujt saktësisht dëshiron t’ia “kthejë” atdheun.
