Reagon Fatbardh Dauti, Kryetar i Këshillit Organizativ Rinor për organizimin e 25 Majit në Vaksincë: Sheshi i Dëshmorëve është vend nderimi dhe përuljeje, jo vend për muzikë dhe ahengje!

Turp!

Të organizosh valle, muzikë dhe aheng në Sheshin e Dëshmorëve, pa një homazh, pa një kurorë lulesh dhe pa një minutë respekti, është një veprim ç’njerëzor dhe një fyerje e rëndë për sakrificën e atyre që dhanë jetën për këtë vend.

Ky shesh nuk është ndërtuar për festa. Është vend i sakrificës, i kujtesës dhe i nderimit. Ta shndërrosh në skenë argëtimi është një mungesë respekti ndaj historisë sonë dhe ndaj gjakut të derdhur për liri.

Mërgimtarët janë krenaria jonë dhe meritojnë pritje madhështore, por kishte dhjetëra vende të tjera ku mund të organizohej një manifestim i tillë. Sheshi i Dëshmorëve nuk është vend për valle e aheng.

Me këtë rast ofenduam familjen Nimani dhe vetë Gjeneralin Fadil Nimani, gjithashtu familjen Zeqiri dhe dëshmorin e parë Zaim Zeqiri, si dhe të gjithë dëshmorët, martirët dhe familjet e tyre. Kjo nuk është mënyra se si nderohet sakrifica e atyre që na lanë amanet lirinë.

Respekti për dëshmorët nuk tregohet me fjalë nëpër përvjetorë, por me vepra. Kush nuk respekton vendin e sakrificës, nuk respekton as historinë mbi të cilën qëndron liria jonë. Sheshi i Dëshmorëve, varret e dëshmorëve, eshtrat e tyre duhet të mbeten gjithmonë vend nderimi dhe përuljeje, jo vend ku zëri i muzikës mbulon kujtimin e atyre që dhanë gjithçka për kombin.

Back To Top