Bujar Osmani: Ligji për përfaqësim të drejtë po rikthen modelin serb të viteve ’90 në Kosovë
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj Propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë, duke e krahasuar atë me ligjin që Serbia miratoi më 26 korrik 1990 dhe që, sipas tij, krijoi bazën ligjore për largimin masiv të shqiptarëve nga administrata, arsimi, shëndetësia, drejtësia dhe institucionet publike në Kosovë.
Osmani shkruan se ligji i propozuar në Maqedoninë e Veriut “e vendos etikën para etnisë”, duke u ndërtuar mbi idenë se përkatësia etnike është pengesë për meritën dhe se mbrojtja e përfaqësimit të shqiptarëve bie ndesh me profesionalizmin.
Sipas tij, projektligji nuk përmban asnjë mekanizëm detyrues dhe asnjë sanksion për institucionet që nuk respektojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Ai thekson se, ndryshe nga mekanizmi i Balancuesit, drafti i ri nuk garanton zbatim real të përfaqësimit proporcional.
“Prandaj ky ligj është, as më pak e as më shumë, si ligji serb i viteve ’90 në Kosovë dhe si i tillë mund të quhet tradhti. Nuk guxon të kalojë”, shkruan Osmani në reagimin e tij publik.
