Edhe 17 ditë nga lirimi i plotë i Grubit

Muaji i gjashtë dhe i fundit i hetimit ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi nga BDI përfundon më 22 gusht. Nëse deri atëherë Prokuroria nuk ngre aktakuzë, Grubi do të lirohet edhe nga masa e arrestit shtëpiak.

Prokurori i Prokurorisë Themelore Publike Shkup, i cili pas 14 muajsh arratisje të Grubit e mbajti atë vetëm gjysmë dite në paraburgim dhe më pas ia zbuti masën në arrest shtëpiak, ka edhe 17 ditë afat ligjor për ta përfunduar hetimin. Në të kundërtën, Grubi do të jetë i lirë.

“Nëse nuk ngrihet aktakuzë, masa e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit hiqet dhe Gjykata Themelore Penale Shkup, me detyrë zyrtare, cakton masë për sigurimin e pranisë së tij. Më së shpeshti kjo është marrja e dokumentit të udhëtimit”, thanë për Sakamdakazam.mk nga Gjykata Penale.

Artan Grubi, para se të dorëzohej në pikën kufitare Bllacë më 23 shkurt 2026, ishte në arrati në Kosovë, ku kalimi i kufirit bëhet vetëm me letërnjoftim.

Ai dyshohet për përvetësimin e 8,2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore. Pas vetëm disa orësh në paraburgim, Grubi deklaroi se nuk ndihej i sigurt në burgun e Shutkës, ndërsa prokurori, në bashkëpunim me përfaqësues të ASK-së, MPB-së dhe gjyqtarin e procedurës paraprake, propozuan zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Më 24 nëntor 2025, prokurori i atëhershëm i shtetit, Ljupço Kocevski, deklaroi se provat ndaj Grubit ishin mbledhur dhe se pritej vetëm ekstradimi i tij nga Kosova. Megjithatë, edhe sot nuk ka zhvillime të reja. Prokuroria ka bërë të ditur se nuk ka informacione të reja për hetimin që mund t’i komunikohen opinionit.

Përveç Grubit, në këtë rast i dyshuar është edhe Prparim Bajrami, ish-kryetar i Bordit Drejtues dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore, i cili gjithashtu ndodhet në arrati.

Katër persona të tjerë dyshohen si kryetarë dhe anëtarë të komisioneve për dy thirrje publike, për keqpërdorim të autorizimeve dhe detyrës zyrtare gjatë procedurës për transferimin e të drejtës së organizimit të lojërave elektronike dhe online të fatit, ndonëse, sipas dyshimeve, një procedurë e tillë nuk duhej të ishte zhvilluar në rrethanat konkrete.

Back To Top