Ejup Alimi: “Marrëveshja e Ohrit është themel i paqes, barazisë dhe të ardhmes së përbashkët”

Marrëveshja e Ohrit nuk i dha fund vetëm një konflikti. Ajo vendosi themelet e paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës në këtë shtet, thekson Ejup Alimi.

“Duke u nisur nga përvoja shumëvjeçare në institucionet përgjegjëse për zbatimin e saj, e di se shumë prej gjërave që sot na duken të natyrshme nuk kanë ardhur lehtë”, shprehet Alimi.

Sipas tij, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, përdorimi i gjuhëve dhe barazia reale në qasjen ndaj mundësive, të mirave dhe resurseve të shtetit nuk janë privilegje.

“Ato janë pjesë e besimit se ky shtet u përket njësoj të gjithë qytetarëve të tij”, thekson ai.

Alimi vlerëson se çdo përpjekje për të relativizuar apo anashkaluar frymën e Marrëveshjes së Ohrit prek ekuilibrin mbi të cilin është ndërtuar funksionimi i përbashkët i shtetit.

“Preket ekuilibri mbi të cilin është ndërtuar funksionimi i përbashkët i këtij shteti dhe vihet në pikëpyetje rruga e tij drejt integrimit evropian”, shprehet Alimi.

Ai e cilëson Marrëveshjen e Ohrit si një kompromis mes dy komuniteteve shumicë në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, dhe si marrëveshjen mbi të cilën shteti zgjodhi të ndërtojë të ardhmen e tij të përbashkët.

“Nëse synojmë një shtet të qëndrueshëm dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, rruga nuk mund të jetë kthimi prapa. Duhet të jetë më shumë barazi, më shumë besim dhe më shumë respekt për frymën e Ohrit”, thekson ai.

Në fund, Alimi apelon që mësimet e historisë të mos harrohen.

“Historia na ka mësuar se paqja ndërtohet me shumë mund. Mençuria politike është të mos e vëmë kurrë në provë.”

13 Gusht 2026

Back To Top