FC Shkupi mbetet pa mbështetje: rriten kritikat ndaj Komunës së Çairit

Gjendja e FC Shkupit dhe mungesa e mbështetjes institucionale për klubin kanë nxitur reagime të reja në Çair, ndërsa në qendër të kritikave është Komuna e Çairit dhe udhëheqja aktuale lokale.

FC Shkupi, një nga klubet më të njohura të kryeqytetit dhe simbol sportiv i Çairit, gjatë viteve të kaluara kishte mbështetje të konsiderueshme institucionale, periudhë në të cilën arriti edhe titullin kampion të Maqedonisë së Veriut.

Sot, situata paraqitet ndryshe. Nga rrethi i klubit dhe sportdashësit po shtrohen gjithnjë e më shumë pyetje për nivelin e mbështetjes që FC Shkupi dhe akademia e tij marrin nga institucionet lokale dhe qendrore.

Veçanërisht shqetësuese konsiderohen informacionet se 11 nga 12 klube kanë përfituar mjete nga Ministria e Sportit për akademitë e tyre, ndërsa FC Shkupi ka mbetur jashtë kësaj mbështetjeje.

Nëse këto të dhëna konfirmohen, kërkohet sqarim publik se mbi çfarë kriteresh është bërë ndarja e mjeteve dhe përse akademia e FC Shkupit nuk ka qenë pjesë e përfituesve.

Njëkohësisht, kritikat drejtohen edhe ndaj Komunës së Çairit. Sportdashësit kërkojnë të bëhet publike se çfarë mbështetjeje financiare, infrastrukturore ose institucionale i është dhënë klubit gjatë periudhës së fundit.

Pyetja që shtrohet është nëse qasja ndaj FC Shkupit ka ndryshuar pas ndryshimeve politike në pushtetin lokal dhe nëse klubi po trajtohet në mënyrë të barabartë me klubet e tjera.

Çështja merr peshë edhe më të madhe për shkak se pas akademisë së FC Shkupit qëndrojnë qindra fëmijë, prindër dhe trajnerë. Për ta, mbështetja institucionale lidhet drejtpërdrejt me kushtet për stërvitje, zhvillimin e talenteve dhe të ardhmen e klubit.

FC Shkupi ka një rol shumë më të gjerë se rezultatet sportive. Klubi është pjesë e identitetit sportiv dhe shoqëror të Çairit dhe për këtë arsye pritet që institucionet lokale të japin përgjigje konkrete dhe transparente për mbështetjen që i është ofruar.

Në këtë kontekst, nga Komuna e Çairit dhe përfaqësuesit e VLEN-it kërkohet të publikojnë të dhënat për mbështetjen ndaj klubit dhe të sqarojnë nëse kanë ndërmarrë hapa për të mbrojtur interesat e FC Shkupit dhe akademisë së tij.

Heshtja institucionale vetëm sa i shton dyshimet.

Çairi kërkon përgjigje se përse një klub me histori, mbështetje të gjerë dhe qindra të rinj në akademinë e tij po përballet me një periudhë kaq të vështirë dhe se çfarë konkretisht po bëhet për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të FC Shkupit.

Back To Top