Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) kanë deklaruar gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje nëse këtë e kërkon opozita.
BDI përmes një komunikate ka përshëndetur deklaratën e Mickoskit, duke theksuar se zgjedhjet i kërkon dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik.
“E kërkojmë. Më në fund edhe kryeministri e ka kuptuar se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik”, theksoi BDI.
BDI kërkon që menjëherë të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit.
“Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”, porosit BDI.
Edhe Aleanca për Shqiptarët ka deklaruar se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.
“Përgjigjja jonë është e qartë: po, jemi gati!”, theksoi ASH, duke kërkuar që sa më shpejt të caktohet data e zgjedhjeve.
Nga ASH thonë se nuk ka nevojë për taktizime apo prolongime dhe se qytetarët duhet të kenë mundësinë të japin vlerësimin e tyre për mënyrën se si po qeveriset vendi.
BDI dhe ASH i kanë dhënë kështu përgjigje të qartë ofertës së Mickoskit: janë gati për zgjedhje të parakohshme.
