Dialogu strategjik me SHBA-në e nisi Bujar Osmani, sot Mickoski dhe Mucunski e paraqesin si sukses të tyre

Ndërsa sot kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Jashtëm Timço Mucunski flasin për “dialogun strategjik” me SHBA-në si shtyllë të partneritetit me Uashingtonin, një fakt diplomatik nuk duhet anashkaluar: ky mekanizëm u hap më 2 qershor 2022 në Uashington nga ministri i atëhershëm i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili bashkë me ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Karen Donfried, drejtoi takimin e parë. Maqedonia e Veriut ishte atëherë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që zhvilloi një Dialog Strategjik me SHBA-në, duke e ngritur partneritetin dypalësh në një nivel të ri.

Rëndësia e punës së Osmanit nuk ishte vetëm simbolike. Agjenda e Dialogut përfshinte mbrojtjen dhe sigurinë, energjinë, ekonominë, tregtinë dhe investimet, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, arsimin dhe bashkëpunimin rajonal – pikërisht disa prej fushave që sot paraqiten si objektiva të partneritetit Shkup–Uashington. Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në takimin me Osmanin e cilësoi nisjen e Dialogut si hap përpara në partneritetin strategjik, ndërsa më vonë Ambasadorja amerikane Angela Aggeler dhe Osmani e përshëndetën së bashku përvjetorin e parë të tij.

Në diplomaci, marrëveshjet dhe mekanizmat strategjikë kanë autorë dhe data. Dhe në rastin e Dialogut Strategjik Shkup–Uashington, dokumentet zyrtare amerikane janë të qarta: emri që qëndron në krye të delegacionit të RMV-së në momentin e inaugurimit të këtij procesi është Bujar Osmani. Sot mund të ndërtohen etapa të reja mbi këtë partneritet, por themeli diplomatik nuk mund të rishkruhet.

Back To Top