Kushëriri i drejtorit kap tenderë në Psikiatrinë e Bardovcit – miliona denarë për kompaninë familjare

Që nga emërimi i Isa Avdullait në krye të Spitalit Psikiatrik “Bardovc”, kompania “Indigo Inc” DOOEL Shkup, në pronësi të kushëririt të tij, është shfaqur vazhdimisht në procedurat e prokurimit të këtij institucioni.

Së fundmi, kompania ka fituar tender për mirëmbajtjen e sistemeve IT dhe sigurimin e licencave, me vlerë maksimale prej 2 milionë e 594 mijë e 820 denarësh, ose rreth 42 mijë euro, për një periudhë 12-mujore.

Vetë drejtori Isa Avdullai ka pranuar se pronari i “Indigo Inc” është kushëriri i tij, duke deklaruar se bëhet fjalë për “kushëri të dytë ose të tretë”. Ai pretendon se është përjashtuar nga procedura për të shmangur konfliktin e interesit.

Por kjo nuk e zhduk dyshimin. Sipas të dhënave të tenderëve, e njëjta kompani vazhdon të shfaqet në procedura të tjera të prokurimit të Spitalit Psikiatrik “Bardovc”, përfshirë edhe tenderë që janë ende aktivë.

Pra, ndërsa drejtori deklaron se është tërhequr nga procedurat, kompania e kushëririt të tij vazhdon të marrë pjesë dhe të fitojë kontrata në institucionin që ai drejton. Kjo situatë ngre dyshime serioze për transparencën, favorizimin dhe mënyrën se si zhvillohen tenderët në spital.

Edhe nëse ligji lejon pjesëmarrjen e kompanisë në rast se drejtori është përjashtuar formalisht nga procedura, mbetet pyetja kryesore: pse firma e kushëririt të drejtorit shfaqet vazhdimisht në tenderët e të njëjtit institucion, pikërisht pas emërimit të tij në krye të spitalit?

Publiku meriton të dijë nëse kemi të bëjmë me procedura të rregullta dhe konkurrencë reale, apo me një skemë ku pushteti institucional i hap rrugë biznesit familjar.

Drejtori thotë se nuk merr pjesë në tenderë. Por kompania e kushëririt vazhdon të marrë kontrata. Rastësi, konflikt interesi apo privilegj familjar?

Back To Top