VLEN vijon ta mbajë në qendër të diskursit politik figurën e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, duke e përdorur atë si pjesë të kritikave ndaj qeverisjes së kaluar.
Megjithatë, retorika e vazhdueshme ndaj Grubit duket se nuk po pritet mirë nga një pjesë e qytetarëve. Në reagime dhe komente në rrjetet sociale, qytetarët shprehen të lodhur nga përplasjet politike dhe akuzat e përsëritura, duke iu drejtuar VLEN-it me mesazhin: “Ju na keni gërdit.”
Qytetarët kërkojnë që fokusi të zhvendoset nga përplasjet me figurat e së kaluarës tek problemet konkrete me të cilat përballen çdo ditë – ekonomia, punësimi, standardi jetësor dhe funksionimi i institucioneve.
Për kritikët, fakti që Grubi vazhdon të jetë temë e deklaratave politike të VLEN-it tregon se koalicioni ende e përdor atë si një nga armët kryesore politike, ndërsa qytetarët presin rezultate konkrete nga pushteti aktual.
Në vend të “Grubit”, qytetarët duket se kërkojnë përgjigje për një pyetje më të thjeshtë: çfarë ka ndryshuar për ta që kur VLEN erdhi në pushtet?
