Sali hesht nga frika e reagimeve: Merr pjesë online në takimin për Ukrainën, por nuk e bën publike

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka marrë pjesë online në takimin e “Koalicionit të të Gatshmëve” për Ukrainën, por për pjesëmarrjen e tij nuk pati asnjë njoftim zyrtar nga Qeveria apo ministria që ai drejton. Pjesëmarrja u konfirmua vetëm pasi gazetarët pyetën Qeverinë nëse Maqedonia e Veriut kishte pasur përfaqësues në këtë takim ndërkombëtar.

Sipas Qeverisë, Sali gjatë takimit ka riafirmuar mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka folur edhe për garanci të sigurisë dhe perspektivën evropiane të Ukrainës. Por asnjëra nga këto qëndrime nuk u komunikua nga Sali apo kabineti i tij. Heshtja është veçanërisht e dukshme në një ditë kur në Kuvend deputetët shqiptarë nuk morën pjesë në aktivitetin kushtuar përvjetorit të pavarësisë së Ukrainës dhe Platformës së Krimesë.

Nëse arsyeja e heshtjes është frika nga reagimet e publikut, kjo mbetet për t’u dëshmuar. Por fakti është se Sali zgjodhi të mos e bëjë publike pjesëmarrjen e tij, ndërsa Qeveria e konfirmoi atë vetëm pas pyetjeve të gazetarëve. Kjo hap pikëpyetje për transparencën e një zyrtari të lartë qeveritar dhe për arsyen pse një aktivitet i tillë ndërkombëtar u mbajt larg komunikimit publik.

Back To Top