Arbër Ademi ka reaguar ashpër ndaj qasjes së koalicionit VLEN, duke e akuzuar atë për mungesë të mbrojtjes së interesave shqiptare dhe për orientim të gabuar politik. Sipas tij, në vend që të përballen me figura dhe politika që i cilëson si anti-shqiptare, si ato të Ivan Stoilkoviç, përfaqësuesit e VLEN-it po fokusohen në sulme ndaj Tiranës zyrtare.
Ademi theksoi se kjo qasje jo vetëm që nuk i shërben shqiptarëve në vend, por edhe dëmton pozitën e vetë përfaqësuesve politikë që ndjekin këtë linjë. “Sikur VLEN t’i mbronte shqiptarët dhe veten nga politikat anti-shqiptare të kësaj konjukture politike, aq sa po i ‘mbron’ nga Shqipëria, ndryshe do të ishin punët”, ka deklaruar ai.
Më tej, ai u bëri thirrje që të ndalet, siç e quajti, “avazi” i sulmeve ndaj Shqipërisë, duke paralajmëruar se një retorikë e tillë vetëm sa e zhvlerëson më tej rolin dhe kredibilitetin e tyre në sytë e opinionit publik dhe faktorëve ndërkombëtarë.
Deklaratat e Ademit vijnë në një moment të tensionuar politik, ku debatet mbi përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave shqiptare në vend janë intensifikuar ndjeshëm.
