Shkup, 26 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar ndaj sulmit të sotëm në Washington, DC, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë që synon goditjen e vlerave themelore të demokracisë dhe lirisë, përcjell Zhurnal.mk.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Ahmeti shprehu solidaritet me popullin amerikan dhe mbështetje për institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sulmi i fundit në Washington, DC është një akt i rëndë që synon të godasë vlerat themelore të demokracisë dhe lirisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar vazhdimisht se mbeten të palëkundura përballë çdo kërcënimi, falë forcës së institucioneve dhe unitetit të popullit të tyre”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka vlerësuar reagimin e institucioneve amerikane të sigurisë, duke theksuar se përgjigjja e shpejtë dhe profesionale dëshmon se dhuna nuk mund të triumfojë mbi demokracinë.
Ahmeti po ashtu ka shprehur mbështetje të plotë për përpjekjet e SHBA-ve në ruajtjen e sigurisë, paqes dhe mbrojtjen e vlerave demokratike në botë.
“Në këto momente, qëndrojmë krah për krah me SHBA-të, duke mbështetur pa asnjë rezervë përpjekjet e tyre për siguri, paqe dhe mbrojtjen e vlerave demokratike kudo në botë”, theksoi Ahmeti.
