Ali Ahmeti me mesazh të fortë për demokracinë: “Liria nuk negociohet”
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, ka përcjellë një mesazh të fortë për rëndësinë e lirisë, pluralizmit, barazisë dhe përgjegjësisë shoqërore.
Ahmeti thekson se demokracia është më shumë se një sistem institucionesh apo një proces elektoral, duke e cilësuar atë si “testin më të lartë të pjekurisë politike”.
Sipas tij, demokracia përfaqëson një lidhje të fortë mes shtetit dhe qytetarit, ku liria nuk negociohet, dinjiteti nuk relativizohet dhe barazia nuk mbetet vetëm një parim në letër.
Në një shoqëri të ndërtuar mbi diversitetin, Ahmeti thotë se demokracia nuk kërkon uniformitet, por hapësirë për dallimet dhe respekt për pluralizmin.
Ai thekson gjithashtu se demokracia duhet të jetë kulturë e shoqërisë dhe standard i çdo institucioni, strukture politike, gare dhe vendimmarrjeje.
“Përgjigjja jonë duhet të jetë më shumë demokraci, më shumë dialog dhe më shumë maturi në vendimmarrje”, shprehet Ahmeti.
Në fund, ai e cilëson këtë si drejtimin që e afron vendin me Evropën dhe si themel për një të ardhme të përbashkët, më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
