Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, zhvilloi një vizitë në fshatin Batincë, ku u njoh nga afër me disa iniciativa të rëndësishme arsimore dhe kulturore që po ndërtohen me përfshirjen e komunitetit lokal, si dhe shpërndau libra të siguruar nga Logos-A.
Gjatë vizitës, në shoqërinë e Kryetarit të Komunës, z. Ejup Abazi, dhe Drejtoreshës së shkollës fillore “Rilindja”, znj. Hatixhe Ramadani, ambasadori vizitoi edhe bibliotekën lokale, një nismë e lindur nga angazhimi i studentëve dhe aktiviteteve edukative në komunitet. Ky projekt është shndërruar në një hapësirë që promovon leximin, mendimin kritik dhe zhvillimin kulturor të të rinjve.
Ambasadori Meidani vlerësoi lart përkushtimin e komunitetit dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që nxisin dijen dhe krijojnë mundësi të reja për gjeneratat e reja. Ai kontribuoi gjithashtu me libra të siguruar nga shtëpia botuese Logos, si një mbështetje simbolike për zhvillimin e bibliotekës dhe kulturës së leximit.
Në vijim të vizitës në shkollën fillore “Rilindja”, u diskutua për kushtet arsimore, përkushtimin e stafit mësimor dhe nevojën për investime të mëtejshme në arsim, si faktor kyç për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe zgjerimin e mundësive për nxënësit.
Një nga pikat e rëndësishme të diskutimit ishte edhe ideja për binjakëzimin e shkollës me një institucion arsimor në Shqipëri, si një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e arsimit.
