Arben Fetai jashtë loje: Mexhiti e Kasami bashkëkryetarë, Sali sekretar gjeneral, Demiri nënkryetar në VLEN

Nesër në Prekaz, në familjen Jashari, pritet të ndodhë shtrëngimi zyrtar i duarve që do t’i japë jetë VLEN-it si një parti politike, duke formalizuar kështu strukturën e re të këtij formacioni. Në këtë takim simbolik pritet të marrin pjesë të gjitha subjektet që nga fillimi kanë qenë pjesë e konceptit të VLEN-it, që nga koha kur ky koalicion hyri në garën politike në zgjedhjet e vitit 2024.

Megjithatë, në zhvillimet e fundit është vërejtur mungesa e një prej figurave që deri më tani konsiderohej pjesë e këtij projekti politik. Sipas informacioneve të publikuara nga ALSAT, në takimin e mbrëmshëm mes krerëve dhe përfaqësuesve të grupeve u konfirmua përfundimisht mungesa e Arben Fetait, ndërsa në skenë doli deputeti Ilir Demiri, i cili pritet të marrë rol në strukturën e re të VLEN-it.

Burimet bëjnë të ditur se në negociatat për ndarjen e posteve është arritur një marrëveshje për modelin me dy kryetarë, ku në krye të partisë do të jenë Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami. Ndërkohë, posti i sekretarit të përgjithshëm pritet t’i besohet Bekim Salit, pas kërkesës së Alternativës për këtë funksion dhe dakordimit të arritur mes palëve.

Në strukturën drejtuese të partisë parashihen edhe nënkryetarët, ku një nga emrat është deputeti Ilir Demiri, ndërsa në këtë nivel përmendet edhe Bekim Qoku si pjesë e ekipit drejtues.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në një deklaratë për ALSAT theksoi se deputeti Ilir Demiri tashmë është pjesë e koalicionit VLEN dhe shumë shpejt pritet të formalizojë edhe në Kuvend bashkimin me grupin parlamentar të këtij koalicioni që aktualisht është pjesë e qeverisë.

“Ajo që dihet në opinion është se deputeti Ilir Demiri tashmë është pjesë e koalicionit VLEN. Shpejt edhe në Kuvend do të jetë pjesë e këtij grupacioni politik që është në qeveri dhe nga momenti kur do të qartësohet pjesa e VLEN-it si strukturë politike, si parti politike, si organizatë politike, ne kemi pritje sepse jemi në bisedime edhe me deputetë tjerë, veçanërisht në pjesën shqiptare si pjesë e VLEN-it”, deklaroi Kasami.

Sipas informacioneve të ALSAT, përveç strukturës drejtuese, në riformulim është edhe programi i partisë, si dhe organizimi i brendshëm. Në plan është edhe krijimi i kuvendit të partisë sipas formulës 5 me 20, ku secili nga grupacionet aktuale do të përfaqësohet me rreth 20 për qind të anëtarëve.

Back To Top