Arkin Jahiu: “Sonte forcojmë një besim dhe angazhim të përbashkët për Bërvenicën”

Kandidati për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiu, ka promovuar sonte kandidaturën e tij në Çellopek, në një aktivitet ku të pranishëm ishin qytetarë, familjarë, miq, bashkëatdhetarë dhe aktivistë të koalicionit AKI.

Pas aktivitetit, Jahiu përmes një postimi ka falënderuar të gjithë të pranishmit për mbështetjen, duke theksuar se për të kjo mbështetje përbën edhe një përgjegjësi të shtuar.

“Faleminderit nga zemra të gjithë qytetarëve që ishit sonte pranë meje, familjeve, miqve, bashkëatdhetarëve dhe aktivistëve të koalicionit AKI për përkushtimin dhe mbështetjen tuaj”, shkroi Jahiu.

Ai tha se mbështetjen e qytetarëve e sheh si përgjegjësi për të vazhduar angazhimin dhe për të qenë pranë tyre.

“Përgjegjësi që të punoj me ndershmëri, përkushtim dhe të jem gjithmonë pranë qytetarëve, ashtu siç kam qenë edhe deri më sot”, u shpreh ai.

Jahiu e cilësoi aktivitetin në Çellopek si më shumë se fillimin e një gare zgjedhore, duke e lidhur atë me një angazhim të përbashkët për të ardhmen e Komunës së Bërvenicës.

“Sonte nuk fillon vetëm një garë zgjedhore. Sonte forcojmë një besim dhe një angazhim të përbashkët për Bërvenicën”, deklaroi Jahiu.

Në përmbyllje të mesazhit, kandidati i AKI-së përcolli sloganin e tij: “Me njerëzit, për njerëzit dhe pranë njerëzve. Bashkë për Bërvenicën!”

Back To Top