BDI-Çair: Kryetari i Komunës mungoi në terren, qytetarët u lanë pa përgjigje

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Çair ka reaguar pas stuhisë së djeshme që goditi Shkupin, duke akuzuar kryetarin e Komunës së Çairit për mungesë të plotë në terren në një moment kur, sipas tyre, qytetarët kishin më së shumti nevojë për institucionet.

Në reagimin e saj, BDI vlerëson se stuhia shkaktoi dëme të konsiderueshme në komunë, ku u rrëzuan drunj, u dëmtuan kulme dhe automjete, ndërsa pati edhe qytetarë të lënduar. Sipas kësaj partie, ndryshe nga drejtuesit e komunave përreth, të cilët dolën menjëherë në terren për të parë nga afër situatën dhe për të koordinuar ndërhyrjet, kryetari i Komunës së Çairit nuk u pa askund.

“Me sa duket, prej se është bërë gjysmë-lider i VLEN-it, mendon se dalja në terren dhe përballja me hallet e qytetarëve është punë nën nivelin e tij”, thuhet në reagim.

BDI thekson se, edhe pse stuhia është një dukuri natyrore, dëmet e mëdha në Çair lidhen edhe me mënyrën se si është zhvilluar komuna gjatë viteve të fundit.

Sipas tyre, ndërtimet pa leje dhe pa kontroll, objektet e dyshimta, rrugët e ngushta, dendësia e madhe e ndërtimeve dhe mungesa e planifikimit urban e kanë bërë Çairin veçanërisht të ndjeshëm ndaj fatkeqësive natyrore.

“Ora e djeshme duhet të shërbejë si alarm. Nëse një stuhi arrin të shkaktojë kaq shumë dëme, çfarë mund të ndodhë në rast të një tërmeti më të fortë?”, thekson BDI në reagim.

Në fund, Dega e BDI-së në Çair i bën thirrje kryetarit të komunës që të dalë menjëherë në terren, të aktivizojë të gjitha shërbimet komunale dhe të informojë qytetarët për masat që po ndërmerren për garantimin e sigurisë së tyre.

“Çairi nuk ka nevojë për një kryetar që luan rolin e liderit të partisë. Ka nevojë për një kryetar që është pranë qytetarëve, në terren, dhe që e kryen detyrën për të cilën është zgjedhur”, përfundon reagimi i Degës së BDI-së në Çair.

Back To Top