Bexheti godet Izet Mexhitin: Si u tradhtua kauza dhe ideali nga vetë ai?

N. Bexheti ka dalë me një reagim të ashpër ndaj Izet Mexhitit, duke e akuzuar atë se ka tradhtuar kauzën dhe idealin që dikur i kishte paraqitur si parime të politikës së tij.

Sipas Bexhetit, Tetova nuk kërkoi mrekulli nga Mexhiti. Qytetarët kërkuan ndershmëri, guxim dhe mbajtje të fjalës, ndërsa besimin e dhanë me shpresën se do të vinte një politikë ndryshe – më pranë qytetarëve dhe larg pazareve politike.

Por sot, sipas tij, shumë prej atyre që dikur e mbështetën Izet Mexhitin ndihen të zhgënjyer dhe të mashtruar.

“Kur kërkuam ndryshim, nuk kërkuam heshtje përballë padrejtësive. Kur kërkuam përfaqësim, nuk kërkuam që zëri i Tetovës të zbehej. Kur kërkuam dinjitet, nuk kërkuam poste, kalkulime dhe interesa personale mbi interesin e qytetarëve”, deklaron Bexheti.

Ai ngre pyetje të drejtpërdrejta për politikën e Mexhitit: “Ku mbetën premtimet? Ku mbeti transparenca? Ku mbeti lufta kundër praktikave që vetë i kritikonit?”

Bexheti e akuzon Mexhitin se ajo që dikur paraqitej si kauzë dhe ideal politik, sot po përballet me zhgënjimin e qytetarëve. Sipas tij, Tetova nuk ka nevojë për arsyetime apo kalkulime politike, por për vepra dhe qëndrime të qarta.

“Besimi i qytetarëve është amanet, jo pronë personale. Ai fitohet me sakrificë dhe humbet me zhgënjim”, shprehet Bexheti.

Në fund, Bexheti thekson se tetovarët meritojnë më shumë respekt, sinqeritet dhe përgjegjësi, duke e mbyllur reagimin me një mesazh të qartë: historia nuk i mban mend ata që morën duartrokitje për një ditë, por ata që e mbajtën fjalën kur ishte më e vështirë.

Back To Top