Bexheti “thumbon” Stoilkoviqin: A jeni ministër i RMV-së apo për Republikën Sërpska?

Debat i tensionuar në Kuvend mes deputetit të FE-së, Blerim Bexheti, dhe ministrit për Marrëdhënie mes Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, lidhur me rolin dhe angazhimin e këtij të fundit në institucion.

Nga foltorja, Bexheti ngriti një pyetje të drejtpërdrejtë, duke vënë në dyshim orientimin e ministrit: “A jeni ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, apo ministër për marrëdhënie me Republikën Sërpska?”. Ai kërkoi gjithashtu llogari për rezultatet konkrete të Ministrisë, veçanërisht në drejtim të ruajtjes së Marrëveshjes së Ohrit.

Stoilkoviq u përgjigj me tone të ashpra, duke e ftuar Bexhetin që të vizitojë së bashku me të Kumanovën për të parë, sipas tij, realitetin e bashkëjetesës me komunitetin shqiptar.

“Ejani të shihni nga afër si jetoj me shqiptarët, do të befasoheni”, deklaroi ai, ndërsa akuzoi BDI-në se në të kaluarën ka vepruar vetëm në interes të shqiptarëve.

Sipas Stoilkoviqit, aktualisht institucionet po funksionojnë në shërbim të të gjitha bashkësive dhe rezultatet, siç tha ai, janë të verifikueshme në terren.

Ai theksoi gjithashtu se në Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive nuk ka pasur largime të shqiptarëve nga vendet e punës dhe se struktura udhëheqëse ka mbetur e pandryshuar.

Përplasja mes dy zyrtarëve pasqyron tensionet e vazhdueshme politike për çështjet ndëretnike dhe funksionimin e institucioneve që lidhen me balancimin e marrëdhënieve mes bashkësive në vend.

Back To Top