Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka kritikuar ashpër VLEN-in lidhur me qëndrimet e tij për rastin e Alta Bankës, duke pretenduar se VMRO-DPMNE po e përdor këtë koalicion si instrument të propagandës së saj politike.
Osmani vlerëson se VMRO-DPMNE prej kohësh përdor propagandën dhe lajmet e rreme për të krijuar mjegull në opinionin publik, për të zhvendosur vëmendjen dhe për të shmangur përballjen me të vërtetën.
Sipas tij, shqetësuese është fakti se kjo qasje po bartet edhe në diskursin politik shqiptar, përmes veprimeve të VLEN-it.
Duke komentuar rastin e Alta Bankës, Osmani thotë se VLEN-i mund të deklaronte se nuk ishte konsultuar për këtë çështje apo se nuk kishte pasur informacione të mjaftueshme për vendimin e Qeverisë. Ai madje shpreh bindjen se ministrat e VLEN-it, ndonëse të pranishëm në mbledhjen e Qeverisë, nuk e kanë kuptuar plotësisht vendimin që po miratonin.
Megjithatë, sipas Osmanit, në vend që të distancohej nga kjo përgjegjësi, VLEN-i ka zgjedhur të ndjekë linjën e komunikimit të VMRO-DPMNE-së, duke u përfshirë në një debat që, sipas tij, po prodhon deklarata kontradiktore.
Ai thekson se VLEN-i tashmë përballet me dy nivele përgjegjësie politike: përgjegjësinë për vendimin lidhur me Alta Bankën dhe përgjegjësinë për mënyrën se si po përpiqet t’ia shpjegojë këtë çështje opinionit shqiptar.
“Nëse nuk ke fuqi në Qeveri, kjo është një gjë. Krejt tjetër është të pranosh që, përveçse pa fuqi, të bëhesh edhe zëdhënës i gënjeshtrave të dikujt tjetër”, deklaron Osmani.
Në fund, nënkryetari i BDI-së thekson se qytetarët mund ta falin mungesën e fuqisë politike, por jo përpjekjet për të nënçmuar inteligjencën e opinionit publik.
Deklarata e Bujar Osmanit vjen në vazhdën e debatit politik mes BDI-së dhe VLEN-it për përgjegjësinë institucionale dhe politike lidhur me rastin e Alta Bankës.
