Çairi përballet me vërshime, BDI mobilizon të rinjtë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Shkupin gjatë pasdites së sotme kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Komunës së Çairit, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke shkaktuar probleme në disa shtëpi dhe lagje.
Përballë kësaj situate, Dega e BDI-së në Çair ka njoftuar se ka mobilizuar aktivistët e Forumit Rinor për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet.
“Nëse ndonjë familje ka nevojë për ndihmë për largimin e ujit nga shtëpitë, oborret apo hapësirat e tjera të përmbytura, mund të kontaktojë në numrat e publikuar. Ekipet tona do të jenë në terren dhe do të bëjnë maksimumin për të ndihmuar, në përputhje me kapacitetet që kemi në dispozicion”, thuhet në njoftimin e Degës së BDI-së në Çair.
Nga dega theksojnë se në momente të tilla solidariteti dhe mbështetja e ndërsjellë janë vlerat më të rëndësishme të komunitetit dhe se askush nuk duhet të mbetet i vetëm përballë vështirësive.
Qytetarëve u bëhet thirrje që, në rast nevoje, të kontaktojnë në numrat e publikuar dhe njëkohësisht të respektojnë rekomandimet e institucioneve kompetente deri në normalizimin e situatës.
