Daut Haradinaj: Kurti shkon në Maqedoni për të promovuar projektet e nisura kur BDI ishte në pushtet

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, duke e kritikuar për vizitën në Maqedoninë e Veriut dhe për promovimin e projekteve infrastrukturore që, sipas tij, janë nisur gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet.

Haradinaj ka thënë se Kurti, në vend që të merret me përfundimin e projekteve të mëdha në Kosovë, po shkon në Maqedoninë e Veriut për t’u mburrur me projekte të nisura më herët.

“Në vend që sot të përurohej autostrada e Gjilanit dhe ajo Klinë-Gjakovë, që kanë filluar që 7 vjet, ai me kabinetin e tij shkojnë në Maqedoni për t’u mburrur me projektet e nisura sa ishte BDI në pushtet”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka rikujtuar edhe premtimin për përfundimin e autostradës së Gjilanit në vitin 2023, duke kritikuar qeverinë për vonesat në realizimin e projekteve infrastrukturore.

“Hajde o zotni, e kryej punët e shtëpisë, se e more në qafë këtë vend”, është shprehur Haradinaj.

Në reagimin e tij, Haradinaj ka ngritur akuza edhe për shpenzimet e qeverisë dhe mungesën e, siç pretendon ai, rezultateve konkrete në ndërtimin e autostradave.

Në fund, ai ka ironizuar edhe një nga momentet e promovimit të punimeve, duke thënë: “Ajo lopatë me zhavor i kushtoi Kosovës 3 milionë tonë qymyr, dhuratë nga ti.”

Back To Top