Kryetari i Komunës së Kumanovës dhe lideri i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, ka kritikuar mungesën e kryeparlamentarit, Afrim Gashi, në ceremonitë shtetërore për shënimin e 2 Gushtit – Ilindenit, duke vlerësuar se pjesëmarrja në një konferencë ndërkombëtare nuk mund të zëvendësojë një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së vendit. Në një intervistë për televizionin Sitel, Dimitrievski tha se ekziston një rend institucional që duhet të respektohet gjatë shënimit të Ilindenit.
“Dihet rendi. Për 2 Gusht, gjithmonë presidenti i shtetit merr pjesë në njërin prej tre lokacioneve kryesore ku shënohet Ilindeni, kryeministri në një tjetër, ndërsa kryetari i Kuvendit në të tretin. A do të jetojmë në një botë të rreme ku do t’i tregojmë njëri-tjetrit fytyra të rreme, apo do të përballemi me faktin se Maqedonia është shtet i pavarur dhe u përket të gjithë qytetarëve të saj? Nëse nuk i respektoni datat themelore të krijimit të shtetit dhe shtetësisë, atëherë de facto nuk e respektoni as shtetin”, deklaroi Dimitrievski. Ai shtoi se beson se shteti nuk do të ekzistonte pa popullin maqedonas dhe angazhimin e tij historik për krijimin e shtetit.
“Nëse do të varej nga vullneti i të tjerëve, të cilët sot i quajmë bashkësi etnike, ndërsa më parë quheshin kombësi ose pjesë të popujve, ne nuk do të kishim një shtet të pavarur. Do të ishim pjesë e ndonjë shteti fqinj ose të ndarë në disa pjesë. Prandaj, ne jemi këtu dhe do ta mbrojmë shtetësinë. Përderisa ka maqedonas, do të ketë edhe Maqedoni”, u shpreh ai.
Kryeparlamentari, Afrim Gashi, nuk mori pjesë në ceremonitë shtetërore të këtij viti për shënimin e 2 Gushtit – Ilindenit, pasi ndodhej në Egjipt për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Delegacioni i Parlamentit në manifestimin qendror në Meçkin Kamen u udhëhoq nga nënkryetari i Parlamentit, Antonio Milloshoski, i cili mbajti edhe fjalim para të pranishmëve.
