Ekskluzive: Faton Azizi në garë për kreun e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion

Shkup – Prokurori Faton Azizi nga Shkupi është një nga kandidatët për drejtues të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK), pozitë që aktualisht e ushtron Islam Abazi, të cilit mandati i përfundon pas dy muajsh.

Azizi, i cili është pjesë e kësaj prokurorie që nga marsi i vitit 2024, ka një përvojë të gjatë në fushën e drejtësisë dhe ndjekjes penale. Gjatë karrierës së tij ka qenë i angazhuar në disa prej lëndëve komplekse të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai ka vepruar në lëndën “Aditivi”, ku janë të akuzuar 38 persona, si dhe në çështjen kundër kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Në përvojën e tij përfshihen edhe lëndët “Botox”, me rreth 20 persona të dyshuar, dhe “FFM”, me rreth 30 persona të dyshuar.

Azizi ka qenë gjithashtu i përfshirë në çështje të kthyera në rigjykim, përfshirë lëndën kundër ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, si dhe lëndën “Lidhja Ndërkombëtare”.

Përveç punës në departamentin për ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë, Azizi është edhe pikë lidhëse ndërmjet PNKOK-së dhe Eurojust-it.

Për pozitën e kreut të PNKOK-së kanë kandiduar edhe prokurorët Iskra Haxhi-Vasileva, Spasenka Andonova, Vlladimir Milloshevski, Aleksandar Markovski dhe Jovan Cvetanovski.

Zgjedhja e pasardhësit të Islam Abazit pritet të bëhet më 28 tetor, kur prokurorët do të votojnë për kreun e ri të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Mandati aktual, sipas ligjit në fuqi, është katërvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Back To Top