Frckovski: Po përgatiten hapa për dobësimin e të drejtave të shqiptarëve

Ish-zyrtari dhe profesori universitar, Ljubomir Frckovski, ka paralajmëruar se ekzistojnë tendenca për dobësimin e të drejtave të shqiptarëve në vend, duke theksuar se këto çështje, së bashku me orientimin evropian dhe vendimet politike, mbeten kyçe për stabilitetin e shtetit.

Ai u shpreh se gjatë angazhimit të tij në vitet e para të pavarësisë, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në proceset e ndërtimit të shtetit, duke kontribuar në hartimin e kushtetutës dhe në forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave.

Duke folur për çështje konkrete, Frckovski theksoi se studentët shqiptarë duhet të kenë të drejtë të japin provimet e jurisprudencës në gjuhën shqipe, nëse studimet i kanë ndjekur në atë gjuhë. Sipas tij, çdo veprim ndryshe do të përbënte diskriminim.

Në lidhje me zhvillimet aktuale politike, ai vlerësoi se marrëdhëniet ndëretnike nuk varen vetëm nga qeveria, por paralajmëroi se vendime të caktuara mund të nxisin tensione. Ai shtoi se, megjithatë, raportet mes maqedonasve dhe shqiptarëve në përgjithësi mbeten stabile.

Frckovski gjithashtu theksoi se vendi vazhdon të mbetet i orientuar drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht ngecjeve në procesin integrues, duke nënvizuar se kjo është një drejtim strategjik i pandryshueshëm.

Ai paralajmëroi edhe për ndikime të rrjeteve politike rajonale në media dhe në proceset politike në vend.

Sa i përket çështjes së ndryshimit të emrit, Frckovski hodhi poshtë pretendimet për oferta financiare, duke i cilësuar si jo serioze, ndërsa shtoi se marrëveshja me Greqinë ka sjellë përfitime politike dhe ka hapur perspektivën euroatlantike.

Në fund, ai dha një vlerësim pozitiv për kryeministrin shqiptar Edi Rama, ndërsa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se ndonjëherë ndjek politika që krijojnë tensione me partnerët ndërkombëtarë.

Back To Top