“Gjoba” me SMS? MPB: Kujdes, bëhet fjalë për mashtrim

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur alarmin për një valë mashtrimesh që po qarkullojnë ditët e fundit, ku qytetarëve u dërgohen mesazhe të rreme në emër të institucionit për kinse gjoba trafiku.

Nga Sektori i Krimit Kibernetik pranë Byrosë së Sigurisë Publike, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Kibernetike në kuadër të Departamentit të Informatikës dhe Telekomunikimit, bëhet e ditur se persona të panjohur po përdorin një numër të huaj telefoni (+639606963624) për të dërguar SMS tek qytetarët në Maqedoni.

Në këto mesazhe pretendohet se ndaj marrësit është regjistruar një kundërvajtje trafiku dhe kërkohet që pagesa të kryhet përmes një ueb-faqeje të rreme:
http://mvr.govmk.cam/mk

Sipas autoriteteve, skema e mashtrimit funksionon në këtë mënyrë: pasi qytetari klikon në linkun e dërguar, ridrejtohet në një faqe që imiton pamjen e MPB-së. Aty kërkohet futja e targave të automjetit dhe më pas shfaqet një “kundërvajtje” e sajuar, për të cilën kërkohet pagesë prej 1500 denarësh me kartë bankare.

MPB u bën thirrje qytetarëve të jenë maksimalisht të kujdesshëm dhe të mos u besojnë mesazheve të tilla, sidomos kur ato vijnë nga burime të panjohura apo faqe të dyshimta. Po ashtu, rekomandohet që të mos jepen të dhëna personale apo bankare, pasi ato mund të keqpërdoren.

Autoritetet theksojnë gjithashtu rëndësinë e shmangies së hapjes së linkeve apo dokumenteve të bashkëngjitura në mesazhe që nuk vijnë nga dërgues të verifikuar, në mënyrë që qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve kibernetike.

Back To Top