Jordan Kamçev nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim prej 1.5 milion eurosh në procedurën civile për rastin “Reket”, ka vendosur Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se ai nuk mund të konsiderohet palë e dëmtuar në këtë rast.
Kamçev në vitin 2022 kishte paditur Katica Janeva, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski, si dhe ish-Prokurorinë Speciale Publike, duke kërkuar kthimin solidar të parave që, sipas pretendimeve të tij, i kishte dhënë si ryshfet. Më vonë, ai hoqi dorë nga padia kundër Milevskit.
Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata Supreme thekson se paditësi ishte përfshirë në atë që e cilëson si “marrëveshje moralisht të palejueshme” me të paditurit, me qëllim që të lehtësonte pozitën e tij në rastin “Imperija”, prandaj nuk ka të drejtë të kërkojë kthimin e mjeteve të dhëna.
“Kur të dyja palët janë të pandërgjegjshme, asnjëra prej tyre nuk mund të kërkojë kthimin e asaj që është dhënë”, thuhet në vendim.
Gjykata vlerësoi gjithashtu se me dhënien e parave, Kamçev kishte kryer veprën penale “dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, duke shtuar se kompensimi eventual do të cenonte integritetin e sistemit gjyqësor.
