GODITJE PËR PUSHTETIN: Qytetarët i besojnë BE-së, jo Qeverisë!
Këto rezultate dëshmojnë se qytetarët i lidhin drejtpërdrejt sfidat e integrimit evropian me problemet e brendshme të shtetit, duke përfshirë korrupsionin, mungesën e reformave, dobësitë institucionale, sfidat ekonomike dhe emigrimin e vazhdueshëm
Evis HALILI
Shkup, 24 qershor – Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë ta shohin Bashkimin Evropian si partnerin më të besueshëm dhe si perspektivën kryesore për të ardhmen e vendit, ndërsa në të njëjtën kohë shprehin nivel të lartë mosbesimi ndaj institucioneve vendore. Këtë e tregon anketa më e fundit e realizuar nga platforma rajonale WeBalkans, e cila evidenton një kontrast të thellë mes perceptimit pozitiv për institucionet ndërkombëtare dhe zhgënjimit ndaj sistemit politik dhe institucional në vend.
Sipas rezultateve të anketës, sistemi gjyqësor mbetet institucioni me nivelin më të ulët të besimit publik. Plot 76 për qind e qytetarëve deklarojnë se nuk kanë besim në drejtësinë e vendit, duke e renditur gjyqësorin në krye të institucioneve që përballen me krizën më të madhe të kredibilitetit. Menjëherë pas tij vijnë partitë politike, ndaj të cilave 68.7 për qind e të anketuarve kanë shprehur mosbesim. Edhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut përballet me perceptim negativ, me 61.9 për qind të qytetarëve që deklarojnë se nuk kanë besim në punën e deputetëve dhe institucionit ligjvënës.
Rezultatet tregojnë se skepticizmi i qytetarëve shtrihet edhe ndaj institucioneve të tjera shtetërore. Mbi gjysma e të anketuarve kanë deklaruar mungesë besimi ndaj Qeverisë (56.1 për qind), Presidentes së shtetit (54.9 për qind), mediave (51 për qind) dhe pushtetit lokal e rajonal (58.1 për qind). Në një ambient të tillë, vetëm dy institucione arrijnë të ruajnë besimin e shumicës së qytetarëve. Bashkësitë fetare gëzojnë besimin e 60.8 për qind të qytetarëve, ndërsa Armata e Maqedonisë së Veriut renditet ndër institucionet më të respektuara me 58.5 për qind besim publik.
Anketa është realizuar në periudhën shkurt-prill 2026 mbi një mostër përfaqësuese prej 1.000 qytetarësh mbi moshën 15-vjeçare dhe ofron një pasqyrë të qartë mbi perceptimet e qytetarëve për sfidat me të cilat përballet vendi. Një nga gjetjet më domethënëse lidhet me faktorët që pengojnë progresin e vendit dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas 36.5 për qind të qytetarëve, korrupsioni mbetet problemi kryesor që pengon zhvillimin demokratik dhe afrimin me BE-në. Ndërkohë, 26.7 për qind konsiderojnë se gjyqësori jofunksional është pengesë serioze për përparimin e vendit.
Po ashtu, 24.6 për qind e qytetarëve vlerësojnë se paaftësia e institucioneve për të zbatuar reforma të nevojshme paraqet një problem të madh që vazhdon ta ngadalësojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Në kontrast me perceptimin negativ ndaj institucioneve vendore, Bashkimi Evropian vazhdon të gëzojë besim jashtëzakonisht të lartë. Sipas anketës, 79.5 për qind e qytetarëve kanë besim në BE, ndërsa 67 për qind mbështesin anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.
Edhe pse perceptimi pozitiv për Bashkimin Evropian ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, nga 65.4 për qind në vitin 2025 në 61.4 për qind në vitin 2026, mbështetja për anëtarësimin mbetet e qëndrueshme dhe e fortë. Qytetarët vazhdojnë ta konsiderojnë Bashkimin Evropian si donatorin dhe partnerin më të rëndësishëm të vendit. Plot 84 për qind e të anketuarve vlerësojnë se mbështetja financiare e BE-së është e lartë ose mesatare, ndërsa 40.8 për qind e identifikojnë Unionin si donatorin më të madh ndërkombëtar.
Përfitimet kryesore që qytetarët presin nga integrimi evropian lidhen me përmirësimin e standardit jetësor dhe krijimin e perspektivës më të mirë për brezat e rinj. Sipas anketës, 46.8 për qind e qytetarëve besojnë se anëtarësimi në BE do të sjellë standard më të lartë jetese, ndërsa 41 për qind presin mundësi më të mira për të rinjtë. Kur bëhet fjalë për pengesat konkrete në rrugën drejt Bashkimit Evropian, qytetarët veçojnë disa faktorë kryesorë. Në vend të parë renditen mosmarrëveshjet me shtetet anëtare të BE-së, të cilat si problem i identifikojnë 38.4 për qind e të anketuarve. Më pas vijnë korrupsioni me 36.5 për qind dhe dobësitë në sundimin e ligjit me 33.3 për qind. Këto rezultate dëshmojnë se qytetarët i lidhin drejtpërdrejt sfidat e integrimit evropian me problemet e brendshme të shtetit, duke përfshirë korrupsionin, mungesën e reformave, dobësitë institucionale, sfidat ekonomike dhe emigrimin e vazhdueshëm.
Anketa e WeBalkans evidenton gjithashtu se besimi ndaj Bashkimit Evropian mbetet i lartë në pothuajse të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria kryeson me 82 për qind perceptim pozitiv dhe 92 për qind besim ndaj BE-së. Kosova regjistron 83 për qind besim, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbeten mbi nivelin 60 për qind të perceptimit pozitiv. Përjashtim paraqet Serbia, ku vetëm 28 për qind e qytetarëve kanë perceptim pozitiv për Bashkimin Evropian dhe rreth 40 për qind shprehin besim ndaj tij.
Studimi nxjerr në pah edhe dallimet gjeopolitike në rajon. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë mbështetje të lartë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ndikimi i Rusisë dhe Kinës mbetet më i theksuar në Serbi dhe në disa pjesë të tjera të rajonit. Rezultatet e anketës dërgojnë një mesazh të qartë: qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të besojnë në perspektivën evropiane të vendit, por në të njëjtën kohë kërkojnë reforma më të thella, luftë më efikase kundër korrupsionit dhe institucione më funksionale, si parakushte për përparimin drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
