“Hallall të qoftë” – Çairi në harresë prej muajsh, mes prerjes së drunjve dhe shkatërrimit të parqeve

Ndërkohë që në disa komuna maqedonase shpërndahen falënderime dhe përgëzime për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, realiteti në Çair paraqitet krejt ndryshe. Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka përgëzuar publikisht drejtorin e parqeve dhe gjelbërimit për punën në këto komuna, duke përdorur edhe shprehjen “hallall të qoftë”.

Banorët ankohen se për muaj të tërë parqet janë lënë pas dore, pa mirëmbajtje dhe pa asnjë ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Pamjet në terren flasin vetë: drunj të prerë, hapësira të pa pastruara dhe gjelbërim i degraduar. Në shumë lagje, parqet që dikur shërbenin si vende pushimi për familjet dhe fëmijët, sot janë kthyer në zona të neglizhuara.

Ironia qëndron në faktin se, në të njëjtën kohë, drejtori i parqeve dhe gjelbërimit merr përgëzime publike për punën në komuna të tjera. Kjo ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë te qytetarët e Çairit, të cilët ndihen të anashkaluar dhe të lënë jashtë vëmendjes institucionale.

Banorët kërkojnë përgjegjësi dhe veprime konkrete, duke theksuar se mirëmbajtja e mjedisit nuk duhet të jetë selektive. Sipas tyre, Çairi meriton të njëjtin kujdes dhe investim si çdo komunë tjetër, e jo të mbetet në harresë për muaj me radhë.

Situata aktuale ngre pyetje të forta për prioritetet dhe barazinë në trajtimin e hapësirave publike, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim dhe ndryshim konkret në terren.

Back To Top