Ilir Kulla demanton portalet e pushtetit: Deklarata ime është keqpërdorur

Analisti shqiptar Ilir Kulla ka reaguar publikisht ndaj titullit të publikuar nga portalet e afërta me pushtetin, ku pretendohej se Bujar Osmani e kishte ftuar Sergej Lavrovin në Shkup për t’i hapur rrugë projektit rus “Ballkani i Hapur”.

I pyetur drejtpërdrejt nga një qytetar nëse pretendimi i publikuar ishte i vërtetë, Kulla dha një përgjigje të prerë:

“Jo, ky është abuzim me deklaratën time.”

Reagimi i vetë Kullës rrëzon interpretimin mbi të cilin portali kishte ndërtuar titullin dhe narrativën kundër Osmanit. Në vend që deklarata e analistit të transmetohej në kontekstin e saj të plotë, ajo është përdorur për të krijuar një akuzë të cilën autori i deklaratës e mohon publikisht.

Ardhja e Lavrovit në Shkup ishte pjesë e takimit ministror të OSBE-së, një organizatë që funksionon mbi parimin e konsensusit dhe ku Maqedonia e Veriut ushtronte kryesimin. Megjithatë, portali e paraqiti këtë proces multilateral si një vendim personal të Osmanit dhe madje i atribuoi një qëllim gjeopolitik që tashmë është demantuar nga vetë Ilir Kulla.

Rasti dëshmon se, kur mungojnë argumentet, deklaratat shkurtohen, shtrembërohen dhe shndërrohen në tituj propagandistikë. Këtë herë, manipulimi nuk u demantua vetëm nga pala e sulmuar, por nga vetë personi mbi deklaratën e të cilit ishte ngritur lajmi.

Back To Top