Incident i rëndë në Spitalin Psikiatrik në Bardovc: Pacienti pret mbi 10 orë i lidhur me pranga, pa ujë dhe ushqim
Një rast i rëndë dyshohet se ka ndodhur gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm në Spitalin Psikiatrik në Bardovc, ku një pacient, sipas dokumentacionit të siguruar, është mbajtur për më shumë se 10 orë i lidhur me pranga në hapësirat e spitalit.
Sipas informacioneve të siguruara, pacienti është sjellë në spital nga forcat e policisë rreth orës 23:00 të mbrëmjes së kaluar. Pretendohet se deri rreth orës 09:00 të mëngjesit nuk i është ofruar shërbim mjekësor.
Gjatë kësaj periudhe, pacienti dyshohet se ka qëndruar i lidhur me pranga për një stoli, pa iu ofruar ushqim dhe ujë.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e trajtimit të pacientëve në institucionin psikiatrik dhe mbi respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të tyre.
Për rastin, sipas informacioneve të siguruara, ekziston dokumentacion që dëshmon pretendimet e ngritura dhe që mund të shërbejë për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Për informacione të mëtejshme lidhur me rastin, mund t’u drejtoheni edhe autoriteteve kompetente, përfshirë Stacionin Policor në Karposh.
Ngjarja pritet të kërkojë sqarim të plotë institucional dhe përgjegjësi nëse konstatohen shkelje gjatë trajtimit të pacientit.
