Koordinatori i AKI-së, Selami: Të subvencionohen taksistët për vetura të reja elektrike

Selami: Iniciativa jonë për subvencione nga Qyteti për taksist me vetura të reja elektrike

Këshilltari i AKI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Abdul Selam Selim, ka bërë të ditur se grupi i këshilltarëve të AKI-së ka paraqitur iniciativë për subvencionimin e blerjes së automjeteve elektrike për transportin taksi.

Sipas iniciativës, synohet të përmirësohet cilësia e ajrit, të ulen emetimet dhe të mbështeten operatorët e licencuar të taksive. Propozimi parasheh gjithashtu modernizimin e këtij shërbimi dhe nxitjen e mobilitetit të qëndrueshëm në kryeqytet.

Nga AKI kërkojnë që të përcaktohen kritere të qarta dhe të barabarta për përfituesit, të shqyrtohen mundësitë e bashkëfinancimit nga burime shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe të planifikohet zhvillimi i infrastrukturës për karikimin e automjeteve elektrike.

Nisma parasheh që shërbimet kompetente, brenda 60 ditëve, të përgatisin analizë financiare, modelin e subvencionimit, kriteret për përfituesit dhe propozimin për sigurimin e mjeteve financiare.

“Shkup më i pastër do të thotë qytet më i mirë për të gjithë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga këshilltari.

Back To Top