Një dokument zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka nxitur reagime dhe pikëpyetje në opinionin publik lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.
Dokumenti, i nënshkruar nga zëvendësministri Astrit Iseni dhe i adresuar tek kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, është hartuar tërësisht në gjuhën maqedonase, pa përfshirë version në shqip, ndonëse bëhet fjalë për komunikim zyrtar mes dy funksionarëve shqiptarë.
Në përmbajtje, dokumenti përfshin një përgjigje ndaj një pyetjeje parlamentare për sigurimin shtetëror të disa deputetëve, ku përmenden edhe emra të njohur të skenës politike. Por përtej përmbajtjes, ajo që ka nxitur debat është mungesa e gjuhës shqipe.
Njohës të çështjeve juridike dhe të drejtave gjuhësore theksojnë se përdorimi i shqipes në institucione nuk është vetëm e drejtë, por edhe detyrim që buron nga legjislacioni në fuqi. Në këtë kontekst, mungesa e saj në një dokument të tillë shihet si standard i ulët institucional dhe mesazh i gabuar për qytetarët.
Ndërkohë, deri tani nuk ka një reagim publik nga Astrit Iseni apo Afrim Gashi për këtë çështje, duke lënë hapur debatin mbi përgjegjësinë dhe respektimin e barazisë gjuhësore në vend.
