Në fshatin Likovë është inauguruar Instituti i Hifzit “Refik Ajeti”, një institucion i ri që synon të kontribuojë në edukimin fetar, moral dhe shoqëror të brezave të rinj.
Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe Kryesuesi i Këshillit të Komunës së Likovës, Zekirja Shaini, i cili e vlerësoi hapjen e këtij instituti si një investim të rëndësishëm për të ardhmen e komunës.
“Sot, në cilësinë e Kryesuesit të Këshillit të Komunës së Likovës, pata nderin të marr pjesë në inaugurimin dhe hapjen e Institutit të Hifzit ‘Refik Ajeti’ në fshatin Likovë. Ky institucion është një vlerë e shtuar për komunën tonë, i cili do t’i shërbejë edukimit fetar, moral dhe shoqëror të brezave të rinj, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie me vlera të shëndosha”, theksoi Shaini.
Ai nënvizoi se Komuna e Likovës mbetet e përkushtuar për të mbështetur institucionet që promovojnë dijen, arsimin dhe vlerat shoqërore.
“Komuna e Likovës, kryetari i saj dhe e gjithë administrata komunale mbeten të përkushtuar për të mbështetur institucionet që kultivojnë dhe promovojnë vlera fetare, arsimore e shoqërore, në shërbim të qytetarëve tanë”, u shpreh ai.
Në fund, Shaini uroi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit, duke shprehur besimin se Instituti i Hifzit “Refik Ajeti” do të shndërrohet në një vatër të dijes, edukimit dhe suksesit për shumë gjenerata që do të vijnë.
