Qeveria e Maqedonisë së Veriut po forcon rrjetin e saj diplomatik në botë. Elma Altorok po përgatit tezat për emërimin e saj si ambasadore në Kajro, si kuadri i vetëm profesional i përzgjedhur nga qeveria në seancën e 26 majit. Ndërkohë, një prej diplomatëve të suksesshëm, Driton Kuçi, do të vazhdojë mandatin e tij në Oslo të Norvegjisë. Ai veçse e ushtronte detyrën e ambasadorit në Oslo dhe ky do të jetë mandati i dytë për të.
Sipas informacioneve, qeveria ka miratuar një pjesë të emrave të rinj për përfaqësimin diplomatik të vendit, ku spikasin dy diplomatët shqiptarë, Driton Kuçi dhe Elma Altorok. Për Kuçin, ky do të jetë vazhdimi i angazhimit në Norvegji, duke marrë mandatin e dytë si ambasador në këtë shtet. Edhe Elma Altorok ka ushtruar detyrën diplomatike në Egjipt si ushtruese detyre ambasadore në shtetin 120 milionë banorësh të Egjiptit dhe ka gëzuar besimin e institucioneve tona për të vazhduar angazhimin e saj në këtë vend të Lindjes së Mesme.
