Në programin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024 në Maqedoninë e Veriut, koalicioni VLEN, i përbërë nga disa parti shqiptare, mes tyre Lëvizja Besa, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, pati premtuar ndryshimin e stemës dhe himnit shtetëror, shkruan Portalb.mk. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur VLEN-i është pjesë e pushtetit, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret institucional në këtë drejtim.

As stema nuk është ndryshuar ndërsa ndryshimi kushtetues për himnin nuk është hapur si proces. Deri më tani aq që është bërë publik ndonjë propozim konkret për ndryshimin e stemës apo himnit. Kujtojmë se në himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, i miratuar pas pavarësimit nga ish-Jugosllavia, i këndohet kombit maqedonas, territoreve dhe heronjve maqedonas, si dhe betejave të tyre për liri. Edhe stema nuk pasqyron elemente të shtetit multietnik, ndryshimi i parë i stemës shtetërore që përdoret qysh nga viti 1946 u bë në vitin 2009 kur ylli i kuq u hoq nga stema socialiste e Maqedonisë.
Himni në shkolla, sërish problem
Çështja e himnit u riaktualizua gjatë fillimit të këtij viti shkollor 2026/27, pasi kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, deklaroi se duke filluar nga ky vit shkollor, çdo të hënë në shkollat e kësaj komune do të lëshohet himni shtetëror. Nga Shkolla Fillore Komunale “Kurum Toshev” me nxënës të përkatësisë maqedonase, për Portalb.mk, konfirmuan se nga kjo javë ka filluar intonimi i himnit shtetëror në shkollë, sipas sugjerimeve të kryetarit të Komunës.
Ndërkaq, sa i përket shkollave të kësaj komune që kanë dhe nxënës shqiptar, deri më tani mësojmë se himni nuk është intonuar. Konkretisht, në vendbanimin Idrizovë, prindërit shqiptarë reaguan ashpër dhe protestuan, duke theksuar paradoksin e imponimit të simboleve unietnike në një kohë kur nxënësve shqiptarë të asaj zone u mohohej hapja e paraleleve mësimore në gjuhën amtare.
Ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët (ASH). Nga kjo parti thonë se patriotizmi nuk duhet të matet me sa herë këndohet një himn, por me investimet që bëhen në arsim dhe me kushtet që u sigurohen fëmijëve. Kurse VLEN në pushtet nuk e ka komentuar nismën e Komunës së Gazi Babës.
Nismë për intonimin e himnit shtetëror nëpër shkolla pati vjeshtën e vitit 2023, ku disa komuna të Shkupit të cilat drejtohen nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së e cila ishte në opozitë aso kohe. Ky veprim u cilësua si veprim provokativ dhe me tendencë për nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike. Megjithatë edhe përkundër kësaj, në disa shkolla të komunave me shumicë maqedonase brenda viteve, nisma u institucionalizua përmes rregulloreve të brendshme pa hasur kundërshtime qytetare.
Kujtojmë se atëbotë njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, më 7 tetor 2023, pati deklaruar se himni shtetëror nuk e reflekton realitetin multietnik të shtetit dhe shoqërisë në Maqedoninë e Veriut.
“Përderisa është ky realitet, atëherë ne kërkojmë që duhet të ndërrohet himni i shtetit dhe të respektojë diversitetin kulturor dhe etnik”, pati deklaruar Kasami.Më pas, pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së, në vitin 2024 me anë të ligjit u propozua që himni shtetëror që të intonohet në shkolla. Projektligji për Arsimin e mesëm kaloi në lexim të parë, por në seancën e komisionit për fazën e dytë u tërhoq nga Kuvendi. Opozita, përmes Frontit Evropian si dhe koalicioni qeverisës VLEN shpallën bllokimin e tij. Ministrja Janevska e pranoi tërheqjen si një ballafaqim me realitetin politik dhe tha se do të përmirësohet ligji, ndonëse kryeministri Mickoski vazhdon ta mbrojë nismën si standard qytetar. Aktualisht, ky ligj ende ndodhet në sirtarët e Kuvendit por nuk dihet nëse neni 54 që parashihte intonimin e himnit është hequr.
