Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se marrëdhënia e tij me koalicionin VLEN është “më shumë se partneritet” ngre pikëpyetje për rolin dhe peshën politike të përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri.
Në një kohë kur VLEN-i pretendon se përfaqëson interesat e shqiptarëve në pushtet, mbetet e hapur pyetja nëse ky partneritet po sjell vendimmarrje të barabartë apo një raport ku fjala e fundit i takon ekskluzivisht kryeministrit.
A është VLEN-i partner i barabartë në Qeveri, apo është bërë aq i dëgjueshëm ndaj Mickoskit sa nuk ia prish më fjalën?
Kritikat ndaj VLEN-it lidhen pikërisht me këtë dilemë: nëse përfaqësuesit e tij kanë ndikim real në politikat qeveritare apo thjesht mbështesin vendimet e partnerit më të madh të koalicionit.
Shprehja “më shumë se partnerë”, e përdorur nga Mickoski, mund të interpretohet si shenjë e marrëdhënieve të afërta politike. Por për opozitën dhe kritikët e VLEN-it, kjo deklaratë mund të shërbejë edhe si pikënisje për një pyetje më të pakëndshme: ku përfundon partneriteti politik dhe ku fillon nënshtrimi politik?
