MINISTRIA E KULTURËS NDALOI KËNGËT PATRIOTIKE SHQIPTARE NË MANIFESTIMIN “SOFRA SHKUPI”
Manifestimi tradicional “Sofra Shkupi”, i organizuar në Sheshin Skënderbeu dhe i financuar nga Ministria e Kulturës, këtë vit u zhvillua pa këngët patriotike shqiptare që për dekada kanë qenë pjesë e pandashme e repertorit të tij.
Videoja e publikuar nga Komuna e Çairit tregon një program të mbushur me këngë talava dhe këngë dashurie, ndërsa mungojnë plotësisht këngët që historikisht kanë shoqëruar manifestimet folklorike dhe kulturore shqiptare.
Vendimi për të ndaluar interpretimin e këngëve patriotike shqiptare ndryshoi thelbin e një manifestimi që është krijuar për promovimin e traditës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Shkup.
Ironia është edhe më e madhe për shkak të vendit ku u mbajt aktiviteti. Në sfond të skenës qëndronte Sheshi Skënderbeu me mozaikun monumental të historisë shqiptare, ndërsa programi muzikor u shkëput pothuajse tërësisht nga simbolika, historia dhe misioni për të cilin është krijuar kjo ngjarje.
“Sofra Shkupi” ka qenë gjithmonë një festë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Këtë vit, me ndërhyrjen e Ministrisë së Kulturës në përmbajtjen artistike, manifestimi humbi një pjesë të rëndësishme të identitetit të vet.
Pamjet e publikuara flasin vetë: në sheshin që mban emrin e Skënderbeut dhe para mozaikut të historisë shqiptare, u heshtën këngët patriotike shqiptare.
