Nafie Selmani: Rivalitetet në VLEN po lënë shqiptarët pa përfaqësim – Flaka

Nafie Selmani ka reaguar lidhur me moszgjedhjen e zëvendësdrejtorëve shqiptarë në institucionet mediatike shtetërore, duke ngritur akuza për bllokada politike dhe rivalitete brenda koalicionit VLEN.

Sipas Selmanit, pas rrëzimit të konkursit për zëvendësdrejtor shqiptar në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AVMU) në dhjetor të vitit të kaluar, ky institucion vazhdon të mbetet pa përfaqësim shqiptar në këtë pozitë.

Ai pretendon se konkursi ishte rrëzuar nga dy anëtare shqiptare të Këshillit të AVMU-së, Zerjeta dhe Afrona, për të cilat thotë se janë propozuar nga subjektet e VLEN-it dhe ASH-së.

“Informacionet që vijnë nga brenda këtij institucioni flasin se konkursi është bllokuar me urdhër të njerëzve të Izet Mexhitit, si pasojë e rivaliteteve brenda VLEN-it”, deklaron Selmani.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për situatën në Radiotelevizionin e Maqedonisë (RTVM), duke thënë se, sipas informatave që qarkullojnë në televizionin publik, sërish nuk është zgjedhur zëvendësdrejtor shqiptar.

“A po përsëritet skenari i AVMU-së? A do të mbetet edhe televizioni publik pa përfaqësim shqiptar, vetëm për shkak të pazareve dhe rivaliteteve të brendshme në VLEN?”, pyet Selmani.

Në fund, ai u ka bërë thirrje mediave shqiptare, partive opozitare dhe opinionit publik që të reagojnë për, siç thotë ai, të parandaluar normalizimin e mungesës së përfaqësimit shqiptar në institucionet mediatike shtetërore.Gazeta Flaka

Back To Top