Nata e nëntë e protestës kundër vendimit të Speciales
Për të nëntën natë me radhë, mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të protestuar kundër vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, me të cilin katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Protesta ka nisur në orën 21:00, njësoj si në netët e kaluara. Të pranishmit po shprehin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së përmes sloganeve dhe brohorimave, duke kërkuar drejtësi dhe kundërshtuar vendimin e gjykatës.
Gjatë kësaj proteste është mbajtur edhe një minutë heshtje për Afrim Bunjakun, rreshterin që u vra tre vjet më parë në sulmin terrorist në Banjskë.
Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë për krime lufte dhe i dënuan me 25 vjet burgim ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-zëvendëskomandantin e UÇK-së, Jakup Krasniqin. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Kundër këtij vendimi janë zhvilluar protesta edhe jashtë Kosovës. Në ditët e fundit, tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë mbajtur në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri. Protestat në Prishtinë pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Ndërsa në shesh po protestohet, pak metra më poshtë, Kombëtarja e Kosovës po zhvillon ndeshjen ndaj Irlandës në “Fadil Vokrri” në kuadër të Ligës së Kombeve.
Tifozët “dardanë” kanë shfaqur një banerë me një mesazh të fortë që përmban shkronjat e UÇK-së.
“Unitet, Çlirim, Krenari”, shkruhet në banerin e “Dardanëve”.
