Nga një “story” për dëshmorët te ndërprerja e kontratës për polic – rast që ngre pyetje serioze.

Më 23 qershor, kandidati për polic M.M. nga fshati Mateç i Komunës së Likovës publikoi në rrjetet sociale një fotografi përkujtimore për xhaxhallarët e tij, duke shënuar përvjetorin e rënies së tyre si dëshmorë të kombit.

Më 13 korrik, ai u njoftua nga Ministria e Punëve të Brendshme se i ndërpritet kontrata për trajnimin bazë për polic.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë në bazë të nenit 10, paragrafi 1, pika 8 të kontratës për trajnim, me arsyetimin se kandidati ka shkelur detyrimet e përcaktuara në kontratë. Vendimi mbështetet në një raport të Qendrës për Trajnim të datës 24 qershor 2026, ku thuhet se kandidati ka vepruar në kundërshtim me rregullat e sjelljes të parashikuara në kontratë. Si pasojë, ai obligohet që brenda tre ditësh të dorëzojë pajisjet, të largohet nga qendra e trajnimit dhe të kompensojë shpenzimet e qëndrimit.

Megjithatë, përputhja kohore mes publikimit përkujtimor dhe ndërprerjes së kontratës ngre pikëpyetje që meritojnë një sqarim publik.

Të vish nga një familje që ka dhënë dëshmorë për lirinë dhe barazinë e këtij vendi duhet të jetë nder, jo barrë. Nëse përkujtimi i dëshmorëve është trajtuar si sjellje e papranueshme, atëherë kemi të bëjmë me një precedent shqetësues për lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të nderuar historinë familjare.

Ironia e këtij rasti është edhe më e madhe sepse kandidati mban emrin e xhaxhait të tij, dëshmorit të kombit, duke bartur me krenari kujtimin e një njeriu që dha jetën për idealet e tij.

Historia nuk fshihet duke ndërprerë kontrata dhe as nuk ndryshohet duke ndëshkuar kujtesën. Përkundrazi, institucionet kanë detyrim të jenë transparente dhe të sqarojnë çdo vendim që krijon dyshime për diskriminim ose trajtim të padrejtë.

Dëshmorët meritojnë respekt. Familjet e tyre meritojnë dinjitet. Ndërsa opinioni publik meriton një shpjegim të plotë dhe të argumentuar për këtë rast.

Back To Top