OJQ “Natyra” dhe partnerët vendosin instrumente moderne për monitorimin e cilësisë së ajrit

Organizata Ekologjike “Natyra” nga Struga ka nisur procesin e instalimit të instrumenteve për monitorimin e cilësisë së ajrit në rajonin jugperëndimor, në kuadër të projektit “Rrjeti Qytetar për Ajër të Pastër në Rajonin Jugperëndimor”, i mbështetur nga Qeveria Zvicerane përmes programit Civica Mobilitas.

Projekti realizohet në partneritet me Grupin e Vëzhguesve “Mirko Mileski” nga Kërçova dhe përfshin komunat e Strugës, Ohrit, Vevçanit, Dibrës dhe Kërçovës.

Në kuadër të projektit do të vendosen instrumente moderne për matjen e parametrave të cilësisë së ajrit, të cilat do të mundësojnë monitorim të vazhdueshëm të ndotjes dhe do të ofrojnë të dhëna të sakta për gjendjen e ajrit në këto komuna. Pajisjet po instalohen kryesisht pranë shkollave, çerdheve, spitaleve, institucioneve publike, si dhe në qendrat e qyteteve.

Sipas organizatorëve, qëllimi i projektit është rritja e transparencës dhe informimit të publikut lidhur me ndotjen e ajrit, si dhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit publik.

Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një rrjeti qytetar për monitorimin e cilësisë së ajrit, duke kontribuar në përfshirjen e komunitetit dhe institucioneve në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe në krijimin e politikave më efektive për një ajër më të pastër.

Back To Top